Panel diskutim: “Situata me arsimin në komunën e Gostivarit dhe rreziku i tepricës së një pjese të stafit mësimdhënës”

Trendi i zvogëlimit të numrit të nxënësve në shkollat e Gostivarit, i shkaktuar nga emigracioni dhe rënia e natalitetit, sjell rreziqe për vendet e punës të stafit mësimdhënës, përkatësisht për shpalljen si tepricë teknologjike. Përfaqësues nga shkollat, përgjegjësit komunal në sektorin e arsimit, sindikata e arsimit, inspektorati shtetëror i arsimit dhe Këshilli Lokal Ekonomik-Social diskutuan për kushtet specifike në shkolla dhe çfarë duhet bërë për tejkalimin e problemeve.

Të dhënat për numrin e nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Gostivarit për tri vitet e fundit tregojnë trend të vazhdueshëm në rënie. Rënie të dukshme ka në shkollat fillore rajonale nëpër fshatra. Vetëm shkollat e mesme teknike dhe të mesme të mjekësisë kanë shënuar rritje të numrit të nxënësve të regjistruar. Komuna dhe drejtorët e shkollave duhet të bëjnë analiza të rregullta për të përcaktuar gjendjen reale dhe, në përputhje me rrethanat, të shpallin konkurset për mësimdhënës.

Ky aktivitet që kish për temë “Gjendjen e arsimit në komunën e Gostivarit dhe rrezikun nga teprica teknologjike të një pjese të stafit mësimdhënës” u organizua nga Asociacioni për Iniciativa Demokratike (ADI) Gostivar në bashkëpunim me Këshillin Lokal Ekonomik-Social dhe Qendrën Kulturore Rinore – Manastir në kuadër të projektit “Promovimi i dialogut social në bashkësi” me mbështetjen e Qendrës Ndërkombëtare Olof Palme nga Suedia.